Të nderuar miq të letërsisë,
me mbështetjen tuaj në veprën time letrare, ju i nderoni shumë shpirtëra të vuajtur, të cilët sot nuk jetojnë më ose jetojnë me plagë në trup dhe në shpirt.
Siç edhe do ta lexoni, libri ka shumë jetë, shumë dashuri e mbi të gjitha shumë vërtetësi. Detyra ndaj Kosovës së robëruar, me sakrificën sublime e heroizmin, janë të shkrira organikisht e bëjnë apel, sidomos për brezat që do të vijnë; që kurrë, në jetë të jetës, të mos harrojnë kalvarin shekullor të Kosovës për të mbërritur tek liria e pavarësia.
Si dëshmitar e protagonist i atyre viteve të zjarrta, unë, si autor, nuk lë të paidentifikuar asnjë problem. Edhe pse mbajta në beteja flamurin e UÇK-së, edhe pse isha komandant i një njësie luftarake, e cila ka shkruar me gjakun e dëshmorëve historikun e saj të lavdishëm, unë kam kurajon të ngre zërin e të themë disa gjëra për komandën eprore, se si disa punë e veprime duhej e mund të ishin bërë më mirë. Gjithsesi unë, si komandant i ri në moshë, por jo në mendime, jam krenar për çfarë kam bërë me shokët e mi. Këtë, përmes faqeve të librit, lexuesi e ndjen -, sikurse e ndjen edhe modestinë - se çdokush, që kishte në deje gjak shqiptari, këtë sakrificë ia kishte borxh Atdheut dhe Kosovës.
Ngadalë, kaluan dy dekada, qëkur Kosova është e lirë dhe pranverat e para kjo tanimë i celebron si e pavarur. Në varret e të rënëve ka veç lule të freskëta. Kështu do të ketë në çdo stinë të vitit. Janë këto lulet e shpirtit të Kosovës, të cilat për të rënët nuk do të vyshken kurrë.
''Uji i qetë është i thellë'', do të thoshte një fjali e urtë. Prandaj unë deri më sot edhe kam heshtur fare, sepse nuk doja të bija në atë nivel të ngjashëm - tejet të ulët - me ata protagonistë, të cilët e manipulojnë historiatin tonë të shkëlqyeshëm kombëtar. Mirëpo tërë kohën, më brengosnin shumë disa dezinformacione të afateve të kaluara. Dhe tani e verifikoj si fort të pashmangshme, të ju them atyre „vandalëve të historisë“: MJAFT MË! Duke e ditur edhe faktin se ''e vërteta është bija e vetme e kohës …''
Kështu edhe unë, siç ju premtova ushtarëve të mi, këtyre njerëzve të vuajtur, trima e besnikë të idealit të lirisë, ashtu edhe po veproj: I hodha në letër të gjitha të vërtetat e asaj lufte dhe të atyre ditëve të përgjakshme. S’janë thjesht të miat! Është e vërteta që flet!
Të gjitha këto, unë si autor, i kam thënë me detaje dhe vërtetësi. Duke ditur se historiati i kombit tonë, shumë të çmueshëm Shqiptar, tanimë nuk trashëgohet vetëm gojarisht, por - fatlumësisht - ky transferohet edhe me shkrim, kështu në veprën time janë të interpretuara në formën më të drejtë të vërtetat e pathëna, të cilat kanë ngelur në pluhurin e harresës. Por jam i bindur se ky kapitull historik, kaq kapital, i emërtuar si panteon i një kombi, nuk lejohet kurrë që të tretet në pluhurat e harresës. Sepse vetëm kështu mundemi njëhere dhe përgjithmonë të mësojmë nga gabimet.
Libri përbën një kontribut, jo të papërfillshëm, për historikun e Luftës Çlirimtare të UÇK-së e të Kosovës martire dhe, si i tillë, shpresoj se çmohet nga lexuesit, që do ta marrin në duar: ''Lisi i gjakut'' (''Kur fjalët vrasin'').
Libri mund të porositet në Buchhandel.de (Amazon, Thalia) & përmes Shtëpisë Botuese Agora (e gjeni në çdo librari. Lexojeni ...): Arber Shabanaj ''Lisi i gjakut'' (''Kur fjalët vrasin'') Roman 324 faqe ISBN 978-3-7584-5595-7 19,99 EUR Shtëpia Botuese ''Neopubli GmbH'' / ''Epubli'' 10997 Berlin 1. Auflage April 2023 & 336 faqe ISBN 978-9928-3122-3-5 Çmimi: 1000 Lekë ''Shtëpia Botuese Agora'' Tiranë, nëntor 2023.
Unë, si shkrimtar dhe luftëtar i lirisë, jam kronist, dëshmitar, jo misionar i një botëkuptimi të caktuar.
Me nderime dhe respekt, ju falënderoj!
Arber Shabanaj